Gjermania është goditur nga një valë stuhish të fuqishme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe humbje jete. Në qytetin Waldorf, të landit Rheinland-Pfalz, një grua 58-vjeçare ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa një tjetër 47-vjeçare është plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi kur një pemë u shkul nga erërat e forta dhe ra mbi gratë, të cilat po kërkonin strehim nga moti i keq.
Dëmet në shkallë vendi
Pasojat e motit të ligë janë raportuar në disa lande gjermane. Në Wetzlar, rreth 60 banesa kanë pësuar dëme, ndërsa në Solms disa shtëpi janë bërë të pabanueshme. Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë në disa rajone, përfshirë Hesën, Turinginë dhe Bavarinë, ku janë shënuar çati të rrënuara, tjegulla të shkulura dhe pemë të rrëzuara mbi automjete.
Fenomenet meteorologjike
Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) konfirmoi zyrtarisht se një tornado goditi qytetin Furstenvalde/Spree në Brandenburg. Edhe pse pamjet e tornado-s janë shpërndarë gjerësisht, policia në Potsdam nuk raportoi për viktima apo të plagosur në atë zonë. Autoritetet mbeten në gatishmëri, pasi paralajmërimet për mot të keq vijojnë të mbeten në fuqi, veçanërisht për landet jugore të Baden-Vurtemberg dhe Bavarisë.
Përditësime
Hetimet mbi tragjedinë në Waldorf zbuluan se viktimat u goditën nga një pemë ndërsa kërkonin strehim brenda një belvedereje. Ndërkohë, autoritetet në Laubach, pranë Wetzlarit, evakuan një perimetër prej 200 metrash për shkak të një rrjedhjeje gazi, të shkaktuar nga rrëzimi i një peme mbi një rezervuar. Shërbimi Meteorologjik Gjerman (DWD) konfirmoi zyrtarisht goditjen nga dy tornado: një në Fürstenwalde/Spree (Brandenburg) dhe një të dytë në afërsi të Wetzlarit (Hessen).