Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në një qendër mirëqenieje për të rinj në rrugën Dankersstrasse në qytetin Stade, rreth 30 kilometra në perëndim të Hamburgut. Viktimat, katër gra dhe dy burra, ishin të gjithë punonjës të institucionit. Pesë prej tyre humbën jetën në vendngjarje, ndërsa personi i gjashtë ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të rënda.
Autoritetet gjermane bënë të ditur se i dyshuari kryesor është një 45-vjeçar, shtetas gjerman me origjinë turke. Hetimet paraprake tregojnë se konflikti kishte lindur për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me kujdestarinë e vajzës së tij tre muajshe. Ndonëse në qendër ndodheshin nëna dhe fëmija i të dyshuarit në momentin e sulmit, ata nuk kanë pësuar lëndime.
Policia ndërhyri menjëherë pas marrjes së njoftimit rreth orës 12:10. Gjatë operacionit të ndjekjes, oficerët qëlluan drejt një automjeti tip Mercedes që po tentonte të largohej, duke ndaluar të dyshuarit pasi makina kishte pësuar dëmtime. Në total, tre persona janë ndaluar nga autoritetet në lidhje me këtë ngjarje.
Autoritetet përjashtuan mundësinë e motiveve politike ose terroriste, duke e cilësuar rastin si një konflikt familjar. Gjatë incidentit, fëmijët që ndodheshin në një çerdhe dhe shkollë fillore aty pranë u mbajtën në ambientet e brendshme për arsye sigurie, deri në mbërritjen e prindërve të tyre. Zonat përreth qendrës u rrethuan nga forcat e rendit për të mundësuar punën e grupeve hetimore dhe mjeko-ligjore.
Përditësime
Policia ka konfirmuar se numri i viktimave nga sulmi në qendrën e Stade ka arritur në 6 të vdekur, ndërsa janë arrestuar 2 persona si të dyshuar. Aktualisht, të plagosurit po marrin trajtim mjekësor në spital.