Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e sotme kampusin e shkollës private Docemus në zonën e Gosen-Neu Zittau, në landin e Brandenburgut në Gjermani. Si pasojë e një sulmi të dhunshëm, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa forcat e rendit kanë ndaluar një 19-vjeçar si autorin e dyshuar të ngjarjes.
Viktimat janë identifikuar si një nxënëse 18-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar. Sipas informacioneve paraprake, 30-vjeçari humbi jetën ndërsa tentonte të ndërhynte për të ndaluar agresorin. Autori i dyshuar, një 19-vjeçar, mendohet të ketë pasur një lidhje të mëparshme me viktimën 18-vjeçare.
Policia u njoftua për ngjarjen rreth orës 13:45 dhe menjëherë nisi një operacion i gjerë në kampusin shkollor, ku u dërguan ekipe të emergjencës, zjarrfikës dhe helikopterë shpëtimi. Autoritetet gjermane kanë siguruar perimetrin e shkollës dhe kanë deklaruar se aktualisht nuk ka rrezik për nxënësit e tjerë apo stafin brenda institucionit. Hetimet po vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivet e këtij krimi.