Shtyllën nr. 15 të linjës së transmetimit me tension të lartë 110 kV, që lidh HEC Egnatian me nënstacionin e Librazhdit, e ka zhvendosur dhe fundosur bazamentin rrëshqitja e dherave në zonë.
Specialistët e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen në vendngjarje për monitorim të vazhdueshëm dhe analizë të stabilitetit të strukturës metalike. Gjeologë të specializuar po vlerësojnë terrenin për të përcaktuar shkakun e zhvendosjes dhe rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm.
Sipas burimeve nga terreni, po diskutohet një zgjidhje emergjente që përfshin përforcimin e bazamentit të shtyllës dhe stabilizimin e trupit të saj përmes lidhjes me kabuj çeliku, për të shmangur rrezikun e shembjes ose ndërprerjes së furnizimit me energji. Rrëshqitja lidhet me gërmimet masive gjatë punimeve në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas.
Autoritetet theksojnë se linja është nën kontroll teknik të plotë dhe çdo ndërhyrje do të kryhet me prioritet për të garantuar sigurinë e rrjetit dhe furnizimin e qëndrueshëm me energji në zonë.