Një zjarr i rënë në një magazinë private pranë rrjetit 110 kV në zonën e Shkozetit ka ndikuar në furnizimin me energji elektrike në qytetin e Durrësit. Incidenti, i raportuar rreth orës 15:40, solli stakimin e linjave 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke lënë një pjesë të qytetit pa energji elektrike.
Sipas OSHEE, avaria është shkaktuar nga këputja e përcjellësit në linjat paralele Rrashbull – Shkozet për shkak të flakëve. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se situata vijon të jetë e rënduar. Shërbimi zjarrfikës është angazhuar për shuarjen e vatrës së zjarrit, ndërsa njëra prej linjave 110 kV mbahet e stakuar si masë sigurie, me kërkesë të ekipeve zjarrfikëse.
Masat për rikthimin e energjisë
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka ndërhyrë duke shfrytëzuar linja alternative (unazë) për të furnizuar zonat e prekura. Si pasojë, energjia është rikthyer pjesërisht në qytetin e Durrësit. Megjithatë, autoritetet sqarojnë se kjo zgjidhje është e përkohshme dhe sfiduese, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të vazhdojë gjatë për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet.
Brigadat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST sh.a.) ndodhen në terren dhe qëndrojnë në gatishmëri për të nisur riparimin e defekteve dhe dëmeve të shkaktuara në linjat 110 kV. Ndërhyrja teknike për normalizimin e plotë të rrjetit do të realizohet menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit dhe krijimit të kushteve të sigurta për punonjësit.