📌 Ky artikull ka përditësime. Shiko fundin për detaje.
Moti i keq përfshie vendin, mblehet Komiteti i Emergjencave Civile
Shqipëria është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive shiu gjatë 24 orëve të fundit. Durrësi, Lezhë, Kukësi dhe vende të tjera po përballem me problematika të mëdha të shkaktuara nga këto reshje të dendura, që kanë sjellë përmbytje në territore të ndryshme të vendit.
Në përgjigje të situatës, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu mblodhi sot Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), ku u diskutua situata e krijuar nga reshjet intensive. Gjatë takimit u bë një analizë e detajuar e situatës në terren, me fokus zonat më të prekura nga përmbytjet, rrëshqitjet e dherave dhe problematikat në infrastrukturë.
Evakuimet dhe situata në terren
Ministri Vengu theksoi se janë evakuara 10 familje në Durrës dhe Shijak si masë parandaluese. Ai shtoi se strukturat e mbrojtjes civile janë në terren me forca të shtuara, mjete dhe pompa të gatishmërisë maksimale. "Jemi në terren me forca të shtuara, mjete, pompa të gatishmërisë maksimale. Edhe në Lezhë jemi në monitorim ora orës për të parandaluar situatën që është krijuar në Gjadër. Për momentin situata konsiderohet të jetë në kontroll", tha Vengu.
Ai njoftoi se parashikohet rritje e kuotave në lumenjtë në Lezhë, prandaj kërkoi përqendrim të forcave në atë zonë. "Presim rritje të kuotave në orët në vijim, duhet të pasohet me rritjen e mjeteve në atë zonë që të jemi pranë banorëve në çdo moment", deklaroi ministri.
Situata në qarqe të ndryshme
Sipas burimeve, situata po monitorohet me prioritet në qarqet Lezhë dhe Durrës, ku janë evidentuara prani uji në disa akse rrugore dhe rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve. Në Lezhë, uji ka përmbytur oborret e shkollave "Kosova" dhe "Gjergj Fishta", duke penguar zhvillimin e mësimit. Lumi Drin ka arritur kuota kritike, ndërsa shumë toka në zonat e Zadrimës, Gjadërit, Zojzit, Gramshit, Kodhelit, Brinishtit, Pirajt, Torovicës, Malecaj, Balldren, Rrabosht, Mërqi, Spitenit, Treshit dhe Barbullojës janë përmbytura.
Në Bashkinë Kurbin, reshjet kanë qenë intensive gjatë gjithë natës, me intensitet mesatar dhe herë-herë të lartë, të shoqëruara me vetëtima. Deri tani, është raportuar vetëm një rast i përmbytjes së një familjeje në Milot.
Prognoza dhe masa që vijojnë
Sipas Institutit të Gjeofizikës (IGJEO), reshjet intensive pritet të vijojnë deri më 8 janar. Ministri Vengu njoftoi se "reshjet intensive do të vijojnë në orët në vijim, ndaj AKMC ka kërkuar gatishmëri maksimale nga të gjitha qarqet e vendit, si dhe një koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe kompanive shtetërore të energjisë".
Strukturat kompetente raportuan mbi masat e marra deri tani, ndërhyrjet emergjente dhe nevojat për mbështetje shtesë. Ministri Vengu kërkoi gatishmëri të plotë të të gjitha institucioneve, koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe vendore, si dhe monitorim të pandërprerë të situatës, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve.
Infrastruktura dhe energji elektrike
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, raportoi se aktualisht janë 22 fidera jashtë pune, kryesisht në rajonin e Durrësit, për shkak të prezencës së ujit në kabina. Ajo shtoi se ekipet e OSHEE dhe OST janë në terren për rikthimin e energjisë, ndërsa linjat 35kV dhe nënstacionet furnizojnë normalisht.
Përsa i përket akseve rrugore, Balluku bëri të ditur se reshjet kanë sjellë rënie gurësh, inertesh dhe prani uji në disa segmente, si Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Vorë–Maminas dhe Dedaj–Bogë. Kontraktorët me mjete e punëtorë po punojnë pa pushim për pastrimin e rrugëve dhe garantimin e qarkullimit.
Rrjeti i transmetimit dhe sistemi hidrik
Balluku theksoi se rrjeti i transmetimit po funksionon normalisht, me të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV në operim. Prurjet në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës vijojnë të mbeten të larta, por njësitë prodhuese po punojnë me kapacitet të plotë. Sistemi i kaskadës po mirëmbahet dhe menaxhohet nga KESH, me shkarkime të kontrolluara dhe prurje të shtuara, me qëllim shmangien e përmbytjeve.
Ministri Andis Salla, i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bëri të ditur se të gjitha strukturat janë në dispozicion për menaxhimin e situatës. Drejtoritë e bordeve të kullimit janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përmbytjet në disa lumenj që rrezikojnë të dalin nga shtrati.
Apel për qytetarët
Autoritetet konfirmojnë se do të mbeten në gatishmëri të plotë dhe se përditësime të vazhdueshme mbi situatën do të publikohen nga strukturat e Emergjencave Civile. Qytetarët ftohen të shmangin zonat me risk të shtuar dhe të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në rast nevoje.
Ndërkohë, burimet raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit, pjesa më e madhe e territorit të vendit është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat në disa qarqe kanë shkaktuar problematika, por pa pasoja serioze për jetën e qytetarëve deri në këtë moment.
Përditësim (8 janar 2026, 12:22): Në qarkun e Dibrës, situata përkeqësohet me përmbytje dhe rrëshqitje dherash në Mat, Klos dhe Dibër, ndërsa pesë fluturime drejt Tiranës u devijuan në Brindisi dhe Bari për shkak të motit të keq. Ministrja Koçiu vizitoi Durrësin, ku deklaroi se hidrovorët funksionuan gjatë 12 orëve kritike dhe po vlerësohen dëmet, me numrat e fiderëve jashtë pune që kaluan nga 22 në 17, pastaj në 27, plus defekte në nënstacionin Kajan dhe rrjetin 6kV të hidrovorit Synej. Prurjet në kaskadën e Drinit u rritën në Fierzë 2300 m³/s, Koman 1150 m³/s dhe Vau i Dejës 400 m³/s, më pas 2100/700/200 m³/s, shoqëruar me probleme furnizimi me ujë në Berat dhe Dimal, si dhe reshje dëbore në Qafë Mejdan, Bulqizë dhe Llogara.
— 8 janar 2026, 13:54
Autoritetet e transportit konfirmojnë se të gjitha akset rrugore mbeten të hapura dhe qarkullimi vazhdon normalisht, pavarësisht reshjeve dëbore në disa zona. Ata rekomandojnë përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve në zonat malore.
Reshjet dëbore ndikojnë në aksin Sopot-Kerrnaj dhe Qafë Bualli-Peshkopi në veri; Surrel-Qafë Priskë-Qafë Mollë në qendër; si dhe Qafë Thanë dhe Ersekë-Leskovik në jug.
Problemet me furnizimin me ujë tani shtrihen në tre qarqe, duke përfshirë ato të raportuara në Berat dhe Dimal.
Përditësim
Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të koordinuar përgjigjen ndaj përmbytjeve. Që nga 2 janari, mbi 1600 punonjës të mbrojtjes civile janë angazhuar. Prurjet rekord në kaskadën e Drinit, prej 3000 m³/s, arritën kulmin me kuotën e liqenit të Fierzës në 289.77 m, por tani kanë rënë në 1500 m³/s. Shkëputjet e energjisë në Kukës dhe Librazhd u riparuan shpejt. Autoritetet presin agravim të reshjeve pas mesnatës, por e vlerësojnë situatën si të menaxhueshme. Bashkitë kanë rritur angazhimin, ndërsa mungesa e bimësisë në jug, për shkak të zjarreve të fundit, ka rritur rrezikun. Aeroporti i Rinasit dhe Porti i Durrësit funksionojnë normalisht, me devijime minimale.
Përditësim
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, konfirmoi angazhimin e 1,600 punonjësve nga 2 janari në zona si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër dhe Elbasan.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i abonentëve pa energji elektrike ra në 19,175 sot, nga kulmi i 38,731 dje, me 4,786 urbanë, 10,030 ruralë dhe 4,359 ruralë të thellë të prekur; të gjitha linjat e transmetimit janë funksionale.
Në Qarkun e Korçës, 1,995 abonentë ruralë mbeten pa energji nga 11 fidera të stakuar.
- Përmbytje e 3,600 hektarë tokë bujqësore në Maliq nga çarja e argjinaturës së Devollit.
- Dëmtim i një banese në Dardhas nga rrëshqitje toke.
- Bllokime rrugore në Qafë Plloçë–Qukës dhe Denas, me kriposje në disa akse dhe ndërprerje mësimi në fshatra.
Përditësim
Autoritetet raportuan prurje hidrike të përditësuara në hidrocentralet kryesore: HEC Fierzë 1400 m³/s, HEC Koman 500 m³/s dhe HEC Vau i Dejës 60 m³/s.
Probleme të reja rrugore u shënuan për shkak të rrëshqitjeve dhe rënieve gurësh:
- Qafë Dushk – Sevaster: e hapur me një korsi.
- Berat – Çorovodë (në Bogovë): rënie gurësh dhe shembje muri.
- Përmet – Çarshovë (në Petran): e hapur me një korsi.
- Valare – Erind – Çajup: rrëshqitje në km 7+600.
- Korçë – Dardhë: rrëshqitje në km 9.
Reshje dëbore të reja goditën Shkodër dhe Pukë, ku kontraktorët punojnë me makineri borëpastruese dhe kripë.
OSHEE njoftoi se 11 fidera në zona malore janë jashtë pune për shkak të dëborës, ndërsa furnizimi energjie mbetet i stabilizuar në linjat kryesore.
Furnizimi me ujë u rikthye plotësisht në Fier (stacioni Kafaraj) dhe u përmirësua në Vlorë, me orare specifike në Trevllazër.