Në qarkun Gjirokastër, rrugët në Njësinë Administrative Zagori tek fshatrat Zhej, Lliar dhe Topovë mbeten të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Në fshatin Memaliaj, një rrugë e brendshme vazhdon të jetë e bllokuar, duke izoluar 5 banesa, ndërsa punimet për largimin e dherave në rrugët e brendshme po vazhdojnë.
Në qarkun Korçë, sipas të dhënave nga ARRSH – Drejtoria Qendër–Lindje, gjatë natës nuk janë regjistruar reshje në akset rrugore. Temperaturat kanë qenë nën zero dhe është kryer kriposje në zonat problematike. Qarkullimi vijon normalisht në segmentet Ersekë–Leskovik dhe Maliq–Kufi Gramsh, por në aksin Maliq–Kufi Gramsh problematikë mbeten aluvionet në formë balte nga skarpatat, kryesisht në zonën e Lozhanit.
Në akset Boboshticë–Dardhë, Lapidari Podgorie–Podgorie–Liqenas, si dhe në lotin 7 (Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë), është kryer kriposje sipas nevojës dhe qarkullimi është normal. Në akset Korçë–Ersekë dhe Zemblak–Goricë–Bilisht–Miras nuk raportohen probleme, por qarkullimi rekomandohet të kryhet me goma dimërore.
OSHEE – Drejtoria Rajonale Korçë raporton se aktualisht janë 3 fiderë pjesërisht të stakuar, me një numër të kufizuar abonentësh pa energji elektrike:
• Në zonën e Maliqit, 14 abonentë ruralë;
• Në zonën e Pogradecit, 4 abonentë privatë;
• Në zonën e Gjançit, 2 abonentë.
Ekipet e OSHEE-së ndodhen në gatishmëri për riparimin e defekteve. Të gjithë fiderët që furnizojnë konsumatorë të rëndësisë së veçantë janë funksionalë, ndërsa hidrovori i Pogradecit vijon punën normalisht.
Vijon puna për mbylljen e çarjes së argjinaturës së lumit Devoll, me angazhimin e mjeteve të Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bashkinë Maliq dhe Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit. Nga bashkitë e qarkut nuk raportohen problematika të reja. Strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren për normalizimin e plotë të situatës dhe sistemimin e dëmeve të mbetura. Këto informacione u dhënën më 13 janar 2026.