Policia malazeze kreu të premten, më 27 shkurt 2026, kontrolle në pronat dhe banesën e biznesmenit Aleksandër (Aco) Gjukanoviq, vëllait të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Milo Gjukanoviq. Operacioni u zhvillua në qendër të Podgoricës, në rrugën Vuka Karadžić, me urdhër të Prokurorisë së Podgoricës.
Forcat policore rrethuan ndërtesën ku banon Aco Gjukanoviq dhe ku ndodhet një degë e Prva Banka, bankë në pronësi të tij. Një pjesë e rrugës u mbyll për qarkullim, ndërsa mediat vendase si Vijesti publikuan foto dhe video nga operacioni.
Qendra për Gazetari Hulumtuese e Malit të Zi raportoi në shtator 2023 se Aco Gjukanoviq u zhvendos në Luksemburg menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2020, ku nisi projekte të reja biznesi. Pasuria e tij është përllogaritur në qindra milionë euro. Para vitit 1999, ai merrej me koncerte, ndërsa deri dy vjet më parë besohej se tejkalonte 167 milionë dollarë.
Përditësime
Aco Gjukanoviq, aksionari më i madh i Prva Banka-s, u arrestua sot në mëngjes pas bastisjeve të djeshme të policisë malazeze në pronat e tij në Podgoricë, Rastoci dhe Nikšić. Bastisjet në Podgoricë përfunduan rreth orës 19:00. RTCG konfirmoi arrestimin, ndërsa autoritetet presin njoftim zyrtar nga Drejtoria e Policisë.