Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi të shtuar gjatë lëvizjes në rrugën Pejë-Rugovë.
Sipas njoftimit zyrtar, reshjet e vazhdueshme atmosferike kanë rritur rrezikun e shembjeve të gurëve. Ditët e fundit janë regjistruar raste me dëme materiale dhe persona të lënduar për shkak të këtyre fenomeneve.
Policia kërkon nga qytetarët të shmangin çdo rrezik të mundshëm dhe të respektojnë masat e sigurisë gjatë udhëtimit në këtë zonë. Kjo masë synon parandalimin e aksidenteve të reja.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë garanton vazhdueshmërinë e mbikëqyrjes së sigurisë në rrugë dhe apelon për bashkëpunim nga qytetarët për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike.