Gjatë periudhës 1 deri më 23 gusht 2026, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, stacionet policore dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë, ka zhvilluar plane operative për mbikëqyrjen e lëvizjes së motoçikletave. Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej 375 gjoba ndaj drejtuesve që nuk kanë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit të policisë, kundërvajtjet më të shpeshta për të cilat janë ndëshkuar ngasësit përfshijnë:
• Drejtimi i motoçikletës pa patentë shoferi;
• Drejtimi i motoçikletës pa regjistrim përkatës;
• Mosmbajtja e helmetës mbrojtëse.
Policia ka theksuar se aktivitetet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Gjithashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se do të zbatohet masë me zero tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në komunikacion, duke u bërë thirrje drejtuesve që të respektojnë masat e sigurisë për të parandaluar aksidentet.