Pas tubimit të zhvilluar në Tiranë, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal ndaj 15 personave për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Sipas njoftimit zyrtar, tubimi ishte parashikuar të zhvillohej në intervalin kohor nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Megjithatë, manifestimi u shtri përtej këtij perimetri dhe fashës orare të njoftuar, duke përfshirë Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllokun dhe segmente të Unazës, çka solli bllokimin e qarkullimit të automjeteve.
Personat e proceduar janë identifikuar me inicialet: A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K.
Si prova materiale, policia ka sekuestruar një automjet dhe dy aparate celularë. Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për ndjekje të mëtejshme.
Përditësime
Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 15 persona pas protestës së 27-të radhazi në Tiranë. Gjatë dy javëve të fundit, autoritetet kanë vënë në hetim 120 organizatorë, ndërsa mes të proceduarve rezultojnë individë të përsëritur për të njëjtën vepër penale.
Protesta në Tiranë hyri sot në ditën e saj të 28-të. Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 15 persona në lidhje me tubimin e fundit, ndërsa po vijon analizimin e pamjeve filmike për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidente.