Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka njoftuar se gjatë javës së fundit ka vendosur 325 masa administrative dhe ka nisur 31 procedime penale ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelën rregullat e qarkullimit rrugor. Këto shkelje rrezikuan sigurinë e përdoruesve të rrugës ose penguan lëvizjen në trafik.
Konstatimet janë rezultat i intensifikimit të monitorimeve në të gjitha akset e kryeqytetit, me prezencë të shtuar të shërbimeve policore dhe përdorim të pajisjeve logjistike bashkëkohore. Objektivat kryesore të këtyre masave janë parandalimi i ngjarjeve me pasoja për jetën dhe shëndetin, si dhe shmangia e kaosit në trafik.
Konkretisht, masat u shpërndanë si vijon:
- 120 masa për mosrespektim të radhës në trafik;
- 98 automjete të ngritura me karrotrec për pengim ose bllokim të lëvizjes si pasojë e ndalimeve dhe parkimeve të gabuara;
- 64 masa për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara;
- 43 masa për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore apelon te drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit për të parandaluar aksidentet dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin. Gjithashtu, fton qytetarët të njoftojnë menjëherë policinë për shkelje të konstatuara, duke garantuar reagim të shpejtë sipas ligjit.