Gjatë operacioneve të zhvilluara më 27 shtator 2026, Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh ushtarake në dy lokacione në veri të vendit. Kontrollet janë kryer pas marrjes së informacioneve për posedim të paligjshëm të armëve.
Në fshatin Dren të komunës së Leposaviqit, policia kontrolloi një objekt që shërbente si stallë, ku u gjetën një armë përsëritëse M-56, një pistoletë CZ-99 (9 mm) dhe një pistoletë CZ Mod-70 (7.65 mm), së bashku me 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm. Në lidhje me këtë rast, është arrestuar shtetasi me inicialet S.V., i lindur në vitin 1971. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Operacioni i dytë është zhvilluar në fshatin Shipovë të komunës së Zubin Potokut, ku gjatë kontrollit të një shtëpie të pabanuar u gjet një pushkë automatike AK-47 me gjashtë karikatorë dhe 157 fishekë. Po ashtu, janë sekuestruar një pushkë gjuetie M-48 me 186 fishekë, një bajonetë, uniforma ushtarake me emblemë serbe, dy çanta ushtarake dhe një pajisje ushtarake për ushqim. Për këtë rast nuk ka pasur persona të arrestuar.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut ka konfirmuar se për të dyja rastet është iniciuar hetim për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.