Polonia dhe Italia kanë njoftuar të mërkurën se nuk do të bashkohen Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke iu shtuar aleatëve të Uashingtonit që mbajnë një qasje të rezervuar.
Bordi, fillimisht i projektuar për të mbështetur armëpushimin në Gaza, parashikohet të marrë një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve globale. Disa vende e shohin atë si rival potencial të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për shkak të ftesave për Russinë dhe Bjellorusinë.
Deklarata e Polonisë
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi gjatë një mbledhjeje qeveritare se, duke marrë parasysh dyshimet kombëtare në lidhje me formën e bordit, Polonia nuk do t’i bashkohet punës së tij për momentin, por do ta analizojë.
“Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten përparësia jonë. Nëse rrethanat ndryshojnë dhe mundësojnë bashkimin në punën e Bordit, nuk përjashtojmë asnjë skenar”, shtoi ai.
Tusk do të takohet më vonë të mërkurën me presidentin Karol Nawrocki në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku Bordi i Paqes është në agjendë.
Pozicioni i Italisë
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani konfirmoi se Italia nuk mund t’i bashkohet bordit për shkak të një pengese kushtetuese të pakapërcyeshme.
“Ne nuk mund t’i bashkohemi Bordit të Paqes sepse kushtetuta jonë lejon bashkimin me organizata ndërkombëtare vetëm në kushte të barabarta me shtetet e tjera. Ky kusht nuk plotësohet nga statuti aktual, i cili i jep Trumpit kompetenca të gjera ekzekutive”, tha ai për Sky TG24.
“Megjithatë, nëse duhet të punojmë për përpjekje rindërtimi që synojnë paqen në Lindjen e Mesme, jemi të gatshëm”, shtoi Tajani.
Kryeministrja Giorgia Meloni, e afërt me Trumpin, kishte kërkuar muajin e kaluar ndryshime në kushtet e bordit për të mundësuar anëtarësimin e Italisë.