Hapësira ajrore mbi aeroportet e Lublinit dhe Rzeszowit, në Poloninë juglindore, u mbyll në orët e fundit për shkak të aktivitetit ushtarak të paplanifikuar, bëri të ditur sot Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së (FAA).
Sipas FAA-së, aeroportet u bënë të paarritshëm për fluturimet civile për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare, siç specifikohet në një njoftim për pilotët (NOTAM) të publikuar në faqen zyrtare të institucionit.
Faqja e gjurmimit të fluturimeve FlightRadar24 raportoi në platformën X se mbyllja lidhet me operacione të avionëve të NATO-s në këtë zonë. Gjithashtu, gazetari Mario Nawfal postoi se avionët polakë dhe të NATO-s u aktivizuan, ndërsa mbrojtja ajrore kaloi në gatishmëri më të lartë. Ai e lidh situatën me aktivitetin e rëndë të aviacionit rus me rreze të gjatë veprimi dhe sulme të reja me raketa ndaj Ukrainës.
Ky nuk është rasti i parë. Muajin e kaluar, aeroportet e Rzeszowit dhe Lublinit kishin ndërprerë përkohësisht fluturimet për operacione rutinë, pa dhënë detaje për kërcënime të drejtpërdrejta ndaj hapësirës ajrore polake.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat për rifillimin e operacioneve normale, ndërsa situata po monitorohet nga institucionet përkatëse.
Përditësime
Agjencia Polake e Shërbimeve të Navigimit Ajror deklaroi se pezullimi garanton funksionimin e lirë të aviacionit ushtarak.
Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura Polake shpjegoi se aviacioni ushtarak operon në hapësirën ajrore polake për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë. Këto masa janë parandaluese për mbrojtjen e hapësirës ajrore ngjitur me zonat e kërcënuara.
Rzeszów është qendra kryesore e NATO-s për furnizimin me armë drejt Ukrainës.