Posta e Kosovës, në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe Katedrën e Biologjisë, ka lansuar sot emisionin e ri të pullave postare “Bimët e shkrepave gurore të Kosovës”.
"Hapësirat e shkrepave gurore të Kosovës strehojnë një florë të veçantë dhe të qëndrueshme, të përshtatur me kushte të ashpra jetese. Mbijetesa mes gurit dhe thatësisë nuk ka ndikuar në pamjen mbresëlënëse të bimëve të shkrepave gurore. Përkundrazi, me formën e tyre të veçantë, ato përfaqësojnë bukurinë e egër dhe qëndrueshmërinë e florës sonë natyrore, gjë që i bën pjesë të rëndësishme të trashëgimisë botanike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.
Nga ky emision, qytetarët mund të marrin dy pulla postare, një bllok filatelik dhe një zarf i ditës së parë, të cilat do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë.
Posta e Kosovës ka ftuar koleksionistët, institucionet dhe qytetarët të i shtojnë këto pulla koleksioneve të tyre. Ato shërbejnë jo vetëm si mjete komunikimi, por edhe si ambasadorë të bukurisë dhe vlerave kombëtare të Kosovës në botë.