Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbajë të premten një konferencë për media në Presidencë, duke filluar nga ora 08:00. Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Detaje rreth temave nuk janë bërë ende të ditura.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi Kuvendi i Kosovës ndërpreu seancën për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesës së kuorumit. Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm.
Një ditë më parë, Vjosa Osmani i ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që synojnë mundësimin e zgjedhjes së presidentit nga qytetarët me votë të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.