Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ka përfunduar fazën e paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve. Trupi gjykues tani pret vetëm shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë.
Avokatët e akredituar në Hagë shprehin besimin se vendimi do të shpallet brenda një afati prej tre deri në pesë muajsh, pavarësisht vëllimit të madh të materialeve gjyqësore. Kjo periudhë konsiderohet e mjaftueshme për analizën e provave, krahasimin e dëshmive dhe vlerësimin e besueshmërisë së tyre.
Avokati Tahir Rrecaj deklaroi se trupi gjykues do t’u përmbajë afateve të parashikuara. Ai theksoi se palët kanë paraqitur të gjitha provat, duke krijuar një pasqyrë të qartë të çështjes. Rrecaj shprehu shpresën për një aktgjykim lirues, pasi, sipas tij, akuzat e Prokurorisë nuk mbështeten mjaftueshëm për të rezultuar në një vendim fajësues ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Kolegu i tij, avokati Skënder Musa, ndan mendimin e ngjashëm. Ai beson se nuk do të ketë nevojë për afate shtesë dhe se vendimi do të jetë i drejtë dhe i ligjshëm.
Burimet krahasojnë këtë afat me praktikat e gjykimeve për krime lufte pas Luftës së Dytë Botërore, ku aktgjykimet zakonisht shpallen brenda një periudhe rreth tre mujore.