Profesori spanjoll i së Drejtës Kushtetuese, Joaquín Urías, ka publikuar një shkrim autorial ku shpreh qëndrime kritike lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar ka treguar një ashpërsi më të madhe në ndëshkimin e Thaçit sesa ndaj organizatorëve serbë që kanë synuar gjenocidin në Kosovë.
Në analizën e tij, Urías thekson se është e vështirë të mbështetet ky vendim gjyqësor, pasi duket se ai buron nga llogaritjet politike mbi mënyrën se si duhet të përparojë shoqëria kosovare. Ai ngre shqetësimin se, në raste të tilla, ligji rrezikon të shërbejë vetëm si një mbulesë për vendime të diktuara nga politika ose konsiderata të tjera etike.
Sipas profesorit spanjoll, krimet që i atribuohen Thaçit dhe të tjerëve duhet të shihen domosdoshmërisht përmes kontekstit të luftës. Urías shton se ato u kryen si pjesë e një përgjigjeje guerile kundër spastrimit etnik. Ai potencon se krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë dhe ato që Gjykata Speciale ia atribuon Thaçit janë të pakrahasueshme, duke nënvizuar rëndësinë e analizimit të rrethanave të konfliktit për një kuptim të drejtë të rastit.