Qeveria ka hartuar projektbuxhetin e pushtetit vendor për vitin 2027 mbi ndarjen ekzistuese me 61 bashki, ndonëse Kuvendi miratoi më 9 tetor 2026 reformën territoriale, e cila e ul numrin e bashkive në 46. Tabela e transfertave i trajton ende 15 bashkitë që do të bashkohen me bashki të tjera si njësi të pavarura financimi. Projektbuxheti nuk përcakton ende se si do të rishpërndahen fondet pas riorganizimit, që pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Për vitin 2027 parashikohen gjithsej 48.2 miliardë lekë për 61 bashkitë ekzistuese, përmes transfertës së përgjithshme dhe transfertave sektoriale. Nga kjo shumë, 26.83 miliardë lekë janë transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme. Pjesa tjetër ndahet për funksione të veçanta, përfshirë arsimin parashkollor dhe parauniversitar, mbrojtjen nga zjarri, rrugët rurale, ujitjen dhe kullimin, administrimin e pyjeve, rritjen e pagave dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
Reforma u miratua me 85 vota pro dhe parashikon shkrirjen e 15 bashkive si njësi të pavarura dhe bashkimin e tyre me bashki të tjera. Ajo synon përqendrimin e burimeve financiare dhe administrative, uljen e kostove të funksionimit dhe përmirësimin e shërbimeve vendore.
Sipas projektbuxhetit, Fushë-Arrëzi, që do t’i bashkohet Pukës, ka të parashikuara 299.2 milionë lekë, ndërsa Puka 377.5 milionë lekë. Klosi, që do të bashkohet me Matin, figuron me 362.2 milionë lekë, ndërsa Mati me 618.2 milionë lekë. Të dyja çiftet trajtohen si njësi të veçanta financimi.
Në qarkun e Tiranës, Rrogozhina, e cila do të bashkohet me Kavajën, ka financim të veçantë prej 396.2 milionë lekësh, ndërsa Kavaja ka 738.1 milionë lekë. Në qarkun e Fierit, Patosi dhe Divjaka kanë transferta të veçanta prej përkatësisht 416.6 milionë dhe 575 milionë lekësh, megjithëse reforma parashikon bashkimin e tyre me Fierin dhe Lushnjën.
Në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi figurojnë me financime të ndara, ndonëse sipas hartës së re do të përfshihen në Bashkinë Elbasan. E njëjta mënyrë financimi zbatohet edhe për bashki të tjera që përfshihen në riorganizim, si Maliqi, Përrenjasi, Këlcyra, Memaliaj dhe Libohova.
Bashkimi ndryshon strukturën administrative që do të menaxhojë fondet, edhe kur popullsia, territori dhe nevojat për shërbime mbeten të njëjta. Financimi për administratën vendore, arsimin, mbrojtjen nga zjarri, mirëmbajtjen e rrugëve dhe administrimin e pyjeve mund të kërkojë riorganizim ndërmjet njësive që bashkohen.
Pas miratimit të reformës mbetet për t’u sqaruar destinacioni i transfertave, si edhe kompetencat, personeli, detyrimet ekzistuese dhe administrimi i fondeve pas bashkimit. Deri në riorganizimin institucional, bashkitë ekzistuese do të vijojnë të kryejnë funksionet e tyre dhe të kenë nevojë për financim.