Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka kërkuar masa sigurimi për 33 persona, lidhur me procedimin penal Nr.1596 të vitit 2024. Hetimet kanë të bëjnë me sekuestrimin e 102 kontejnerëve me mbetje toksike në Portin e Durrësit. Deri tani janë ekzekutuar 20 masa sigurimi, ndërsa vijon puna për kapjen e 13 personave të tjerë. Masat përfshijnë arrest në burg dhe arrest në shtëpi ndaj drejtuesve të subjekteve private, zyrtarëve shtetërorë, doganierëve dhe punonjësve të institucioneve mjedisore.
Hetimet nisën pas njoftimit të OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) më 25 korrik 2024, për një ngarkesë të dyshuar nga Shqipëria drejt Tajlandës. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bashkëpunoi me OLAF për të identifikuar eksportin e 2.816.300 kg mbetje nga subjekti Sokolaj sh.p.k., të ngarkuara në 102 kontejnerë me anijen Moliva XA443A. Ngarkesa u kthye në Portin e Durrësit më 28 tetor 2024, pasi u refuzua nga autoritetet tajlandeze. Më 8 nëntor 2024 u sekuestruan kontejnerët, të cilët ndodhen në Porto Romano nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Vepra penale të akuzuara
• Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara (neni 171/25);
• Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore (neni 175/25);
• Falsifikimi i dokumentave (neni 186/2);
• Transportimi i mbetjeve (neni 201/a-25);
• Menaxhimi i mbetjeve (neni 201/b-25);
• Shpërdorimi i detyrës (neni 248);
• Pastrimi i produkteve të veprës penale (neni 287/2).
Gjatë sekuestrimit, kontejnerët u nënështruan testit për radioaktivitet dhe nuk u konstatua prani e lëndëve Gama apo Neutron. Mostrat u analizuan në laboratorë italianë, ku rezultuan mbetje të rrezikshme nga industria e çelikut, pluhur i grumbulluar nga filtrat e gazrave të furrave elektrike (kod 10 02 07*). Këto përmbajnë oksid zinku, hekur, plumb, bakër dhe metale të tjera, duke paraqitur rrezik për toksicitetin riprodhues dhe ekotoksicitet ndaj ekosistemeve ujore.
Subjektet e përfshira përfshijnë Kurum International sh.a., Sokolaj sh.p.k., Alliance Resource sh.p.k., si dhe zyrtarë nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (përfshirë ish-drejtoreshën Arta Dollani) dhe Dogana. Prokuroria thekson një zinxhir veprimesh për fshehjen e natyrës së mbetjeve dhe eksportin e tyre në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Bazelit. Hetimet vazhdojnë.