Prokuroria e Elbasanit po heton shembjen e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas, e cila bllokoi lëvizjen drejt juglindjes së vendit për ditë me radhë, për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës.
Prokuroria i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) të vërë në dispozicion të gjitha procedurat e prokurimit për tenderin e mirëmbajtjes së këtij aksi. Sipas një burimi pranë grupit hetimor, ARRSH pritet t’i dorëzojë dokumentet brenda një jave, për shkak të vëllimit të madh të materialeve.
"Po hetojmë pjesën që lidhet me aksin ekzistues, konkretisht tenderin e mirëmbajtjes së rrugës. Pra, po shohim mënyrën sesi është zhvilluar procedura e tenderit dhe termat e kontratës së lidhur mes ARRSH-së dhe kompanisë fituese", deklaroi burimi.
Të dhënat e Open Data tregojnë se tenderin e mirëmbajtjes e fitoi kompania InfraKonsult e Redi Strugës. Verifikimet e para rezultojnë se kompania nuk i ka përmbushur detyrimet kontraktore, duke qenë në shkelje të ligjit, dhe dyshohet se kjo ka kontribuar në shembje.
Drejtimet e tjera të hetimit
Grupi hetimor po shqyrton ndërtimin e rrugëve provizore, të cilat përdoren përkohësisht derisa të përfundojë rindërtimi i aksit kryesor.
Prokuroria heton gjithashtu lejen për marrjen e inerteve në lumin Shkumbin dhe zbatimin e saj, pasi është konstatuar shfrytëzim masiv në disa zona.
Veprat penale në shqyrtim
Hetimi zhvillohet për:
- Shpërdorim i detyrës;
- Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike;
- Shkatërrimi i rrugës;
- Ndotja e ajrit, ujit apo tokës.
Situata në segmentin rrugor është normalizuar, por problemi mbetet evident.