Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimin pasuror nr. 1, të nisur më 1 korrik 2025, dhe ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Arjan Hykës, të dënuarit në Itali për trafik narkotikësh, si dhe të personave të lidhur me të, përfshirë M. Hyka.
Hetimi dokumenton pasuri të pajustifikuara nga burime të ligjshme, të krijuara nga një cikël ekonomik me origjinë të dyshuar kriminale. Në bazë të këtij aktiviteti qëndron një deklarim financimi prej 100.072.890 lekësh në shoqërinë “A…” sh.p.k., ku Arjan Hyka është ortaku i vetëm. Kjo shumë nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe është përdorur për krijimin e shoqërive të tjera, transaksione fiktive jashtë sistemit bankar dhe blerje pasurish.
Pasuritë e kërkuara për konfiskim përfshijnë:
- 5 apartamente në Fier, Tiranë dhe Vlorë, me sipërfaqe 135,60 m², 127 m² dhe 59 m² në Fier, 17,10 m² në Tiranë, 31 m² në Vlorë;
- 2 njësi shërbimi në Tiranë dhe Vlorë;
- 16.719 m² tokë arë në Fier, në emër të shoqërive “A…” sh.p.k. (3.949 m²) dhe “A I” sh.p.k. (1.971 m² + 3.926 m²);
- Kuotat në 5 shoqëri tregtare në pronësi të Arjan Hykës dhe familjarëve.
Prokuroria dyshon se Arjan Hyka ka sjellë në Shqipëri vlera monetare nga veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Hetimet evidentojnë raste ku shoferë të punësuar në shoqëritë e lidhura janë kapur në kufi me shuma të padeklaruara parash. Kërkesa është paraqitur në gjykatë për konfiskim si pasojë e veprimtarive të dyshuara kriminale.