Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të kryejë hetime lidhur me dyshimet se një termocentral i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka shkaktuar ndotje të ajrit në Komunën e Obiliqit të shtunën. Prokuroria tha se ka pranuar informacione dhe një video-incizim që tregojnë tym nga oxhaku i KEK-ut. Policisë i ka kërkuar të mbledhë të dhëna dhe prova nga vendi i ngjarjes, duke e trajtuar rastin si vepër penale për ndotje, degradim ose shkatërrim të mjedisit.
Shpjegimi i KEK-ut
KEK-u, prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend, shpjegoi se në termocentralin Kosova A nuk ka funksionuar përkohësisht teknologjia kryesore për kontrollin e ndotjes së ajrit. Kjo ka ndodhur për shkak të një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm. Korporata njoftoi se ekipet teknike kanë identifikuar shkaqet dhe po zhvillojnë ndërhyrje për sanimin e defektit dhe rikthimin e sistemit në funksion të plotë.
Konteksti i termocentraleve
Termocentralet Kosova A dhe Kosova B, të vendosura në Obiliq – komunë me rreth 18.000 banorë në 10 kilometra distancë nga Prishtina – funksionojnë me thëngjill dhe janë ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes në vend. Problemet me cilësinë e ajrit janë të vazhdueshme dhe kanë renditur shpesh Kosovën në krye të listave botërore të ajrit më të ndotur. Termocentrali Kosova A, i vjetër me dekada, ishte e paraparë të mbyllej deri në vitin 2017, por kjo nuk ka ndodhur.
Për të adresuar sfidat energjetike, Kosova miratoi në marsin e 2023-s Strategjinë për energji 2022-2031, që parashikon rinovime të termocentraleve aktuale.