Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur zyrtarisht kundërshtimin e saj ndaj kërkesës së mbrojtjes për lirim të përkohshëm të Kadri Veselit. Kryeprokurorja Kimberly West argumentoi se mbajtja në paraburgim duhet të vazhdojë deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, e caktuar për datën 16 shtator 2026.
Sipas prokurores West, caktimi i datës për shpalljen e vendimit nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të kërkonte rivlerësimin e masës së sigurisë. Ajo theksoi se paraburgimi është i nevojshëm për periudhën e mbetur, duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes.
Në qëndrimin e saj, Prokuroria renditi katër arsye kryesore për refuzimin e kërkesës:
• Ekzistencën e një klime të vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, e cila shtohet nga vëmendja publike para shpalljes së aktgjykimit.
• Rrezikun e vazhdueshëm që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale.
• Pamundësinë që masat alternative të neutralizojnë këto rreziqe.
• Rrethanat specifike të çështjes, të vlerësuara më parë nga Trupi Gjykues.