Prokuroria Themelore Publike në Gostivar ka nisur procedurë penale kundër katër banorëve të fshatit Dobërdoll, Komuna e Vrapçishtit, pasi dyshohen për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, të parashikuar nga neni 288, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 31 korrikut gjatë një ahengu familjar. Hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë përdorur tri pistoleta dhe një pushkë të markës dhe kalibrit të panjohur, duke shtënë në ajër dhe duke rrezikuar jetën e të pranishmëve në festë.
Prokurori publik ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga gjykatësi i procedurës paraprake në Gostivar për të katër të dyshuarit, duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes. Njëri nga të dyshuarit posedon shtetësi sllovene përveç asaj të Maqedonisë së Veriut, çka është vlerësuar si rrethanë shtesë për kërkesën e paraburgimit.
Në lidhje me këtë rast, zyrtarët e SPB Tetovë kanë zhvilluar një aksion policor më 1 gusht, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale. Gjatë bastisjeve në disa lokacione, janë arrestuar gjithsej 6 persona, ndërsa një person tjetër është ftuar për bisedë zyrtare. Gjatë këtij operacioni, policia ka gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion.