Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”. Sipas aktakuzës, të pandehurit në bashkëkryerje kanë përdorur forcën dhe dhunën për të bllokuar rrugët kryesore në komunat veriore.
Në procesin e bllokimit të rrugëve janë përdorur mjete të rënda, si kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca dhe autobusë. Prokuroria thekson se, nga veprimet e dokumentuara, rezulton se grupi ka qenë i gatshëm të sulmonte zyrtarët policorë nëse do të ndërhynin për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes.
Ndërkaq, organi i akuzës njoftoi se hetimet janë pezulluar për 11 persona, pasi të njëjtit aktualisht nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes penale. Në këtë listë bëjnë pjesë:
• Milan Radoiçiq
• A.S.
• A.F.
• A.J.
• R.S.
• S.A.
• D.V.
• S.P.
• V.R.
• M.R.
• M.R.
Barrikadat e dhjetorit 2022 u vendosën pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili u ndalua nën dyshimet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri, ngjarje kjo që parapriu trazirat në zonë.
Përditësime
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-policin Dejan Pantiq me 2 vite burgim për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ). Aktgjykimi konstaton se ky incident, i ndodhur më 6 dhjetor 2022, shërbeu si shkas për vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe përshkallëzimin e situatës së sigurisë.
Prokuroria Speciale ka specifikuar rolin e Milan Radoiçiqit në aktakuzën për barrikadat në veri, duke e identifikuar atë si organizatorin kryesor të strategjisë, logjistikës dhe monitorimit të Policisë së Kosovës. Dosja e re konfirmon se Radoiçiqi ka drejtuar personalisht koordinimin e operacioneve në terren. Ndër 6 personat e akuzuar, njëri rezulton i dënuar më parë për pjesëmarrje në sulmin në Banjskë. Gjithashtu, aktakuza nuk përfshin figura të larta të Listës Serbe, si Goran Rakiq, Zlatan Elek, Slavko Simiq dhe Igor Simiq, pavarësisht dyshimeve të mëparshme për përfshirjen e tyre.