Sot, më 27 korrik 2026, qytetarët vazhduan protestën e tyre për të 58-ën ditë radhazi, duke ndërmarrë lëvizje drejt disa pikave kyçe në kryeqytet. Grupet e protestuesve marshuan drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Ministrisë së Brendshme, duke tentuar të bllokojnë qarkullimin në këto zona.
Kjo protestë përkon me zhvillimin e seancës plenare në Kuvendin e Shqipërisë, e cila është parashikuar të nisë në orën 10:00. Për shkak të pranisë së protestuesve dhe rëndësisë së seancës parlamentare, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë.
Në zonën përreth Kuvendit është instaluar një perimetër i sigurisë, i ngjashëm me atë të aplikuar gjatë seancës së të enjtes së kaluar. Policia ka angazhuar forca të shumta për të monitoruar lëvizjet e qytetarëve gjatë gjithë tubimit. Gjithashtu, në gatishmëri pranë këtyre objekteve janë vendosur autobotë me ujë si pjesë e masave për mbajtjen e rendit publik.