Në Prishtinë u mbajt më 2 nëntor protesta e gjashtë radhazi pas vrasjes së Arlinda Zekajt, 49 vjeçe, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Protestuesit u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie institucionale.
Protesta u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Sipas organizatorëve, protestat do të vazhdojnë derisa të përmbushen kërkesat për drejtësi për Zekajn dhe gratë e tjera të vrara, si dhe për siguri më të madhe për gratë që përballen me dhunë.
Ndër kërkesat e organizatorëve janë trajtimi i vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, hetimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që dyshohet se e kanë neglizhuar rastin, si dhe përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë, Policisë dhe Qendrës për Punë Sociale, nëse vërtetohet se nuk i kanë përmbushur detyrimet për mbrojtjen e viktimës. Kërkohet gjithashtu sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave të rrezikuara.
Gjatë protestës u dëgjuan thirrje kundër dhunës ndaj grave dhe institucioneve, përfshirë “Drejtësi për gratë e vrara, siguri për gratë e gjalla” dhe “Dhunuesit e grave në burg”. Protestuesit mbanin edhe pankarta me mesazhe drejtuar institucioneve, ndër to “Poshtë sistemi patriarkal”, “Me Arlindën përfundon” dhe “Sytë e saj do t’ju ndjekin, lotët e saj do t’ju djegin!”.
Gjatë ditës u konstituua Komisioni hetimor parlamentar për rastin. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi që zyrtarët e thirrur si dëshmitarë t’u përgjigjen kërkesave të komisionit. Kryetari i tij, Burim Ramadani, tha se puna do të mbështetet në fakte dhe argumente lidhur me rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë institucionale.
Në lidhje me trajtimin e rastit janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, si dhe kryeprokurorja dhe prokurorja e Pejës. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqjen. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i Zekajt. Protesta dhe marshime për drejtësi janë zhvilluar edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog.