Në protestën kombëtare të Partisë Demokratike më 8 maj 2026 në Tiranë, para Kryeministrisë, protestuesit mbajtën një minutë heshtje për dy të mitur, një 12-vjeçar dhe një 10-vjeçar, që humbën jetën në aksidentin e 3 maj në Durrës. Ata u përplasën me automjetin e drejtuar nga 57-vjeçari Nikoll Radaçi.
Pjesëmarrja shënoi nivelin më të ulët në tubimin e tetë kombëtar, me vetëm një grusht aktivistësh. Kreu i PD-së, Sali Berisha, mbërriti në shesh i shoqëruar nga mbështetësit, pak para orës 19:00.
Edhe pse parashikohej pa fjalime dhe vetëm me marshime nëpër kryeqytet, PD-ja improvizoi një mini-podium para Kryeministrisë. Është e paqartë nëse do të mbahet ndonjë fjalim.
Policia ka mobilizuar 1500 efektivë për garantimin e rendit. Kryepolici Skënder Hita doli në terren dhe porosit efektivët për qetësi dhe profesionalizëm.
Policia njoftoi bllokimin e lëvizjes dhe parkimit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga Ura e Dajtit deri në rrugën Ismail Qemali, nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit më 8 maj.