Ngjarja ndodhi të dielën në lagjen Pilastro të Bolonjës, pasi banorët kishin njoftuar policinë për një person që shfaqte sjellje të çrregullt dhe godiste dyert e garazheve. Sipas versionit zyrtar të policisë, efektivët u përpoqën fillimisht ta qetësonin situatën, përpara se të përdornin sprej me piper për ta neutralizuar 42-vjeçarin.
Pamjet filmike, të publikuara nga mediat italiane, tregojnë dy policë duke qëndruar mbi Abderrahim Fakir, i cili ndodhej i shtrirë me fytyrë përtokë. Në video shihet gjithashtu një civil që i mban këmbët personit, ndërkohë që pranë ndodhej personeli i ambulancës. Pas rreth dy minutash, 42-vjeçari ndaloi së rezistuari dhe humbi ndjenjat. Vetëm pasi i vunë prangat në duar dhe këmbë, efektivët konstatuan se ai nuk po reagonte më.
Dëshmitarët okularë pohuan për mediat se, pavarësisht gjendjes së rënduar, Fakir nuk ishte i armatosur dhe nuk përbënte kërcënim fizik për të tjerët. Motra e tij, Khadija Fakir, kërkoi zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.
Të hënën në mbrëmje, mijëra qytetarë u tubuan në qendër të qytetit për të kërkuar drejtësi. Protesta, e cila nisi në mënyrë paqësore, u shndërrua në përplasje të dhunshme ku rreth 100 persona u përleshën me policinë dhe i vunë zjarrin dy automjeteve. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, bëri thirrje për një hetim të plotë mbi ngjarjen, duke shtuar se dhuna ndaj forcave të rendit nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.