Vala e protestave kundër qeverisë shqiptare është shtrirë edhe jashtë kufijve të vendit, duke përfshirë së fundmi komunitetin shqiptar në Toronto të Kanadasë. Pjesëmarrësit, të veshur me bluza me simbole kombëtare dhe duke mbajtur flamuj kuqezi, artikuluan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe shprehën pakënaqësi ndaj politikave aktuale.
Kjo protestë zhvillohet në një periudhë kur në Tiranë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, po mbahen protesta masive prej 8 ditësh. Lëvizjet kundërshtuese janë shtrirë paralelisht edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Sipas organizatorëve të tubimeve, motivi kryesor i këtyre reagimeve është kundërshtimi i vendimeve të qeverisë për projekte të ndryshme ndërtimi, me theks të veçantë te zhvillimet në zonën e Zvërnecit. Protestuesit pretendojnë se këto nisma cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.