Ekzekutimi i Artan Myrtajt, i njohur ndryshe si 'Tani i Ruzhdiut', ka zbuluar detaje tronditëse mbi dinamikën e atentatit të ndodhur paraditen e së dielës, më 20 shtator, në qytetin e Sarandës. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur autori, i veshur me një xhup në ngjyrë ulliri, pantallona të zeza dhe me skafandër, ndjek viktimën në zonën e njohur si “ish-Agjencia”. Myrtaj u qëllua fillimisht nga autori, i cili mbante dy pistoleta, njëra prej të cilave me silenciator. Viktima u përpoq të largohej me vrap për t'i shpëtuar breshërisë, por u ndoq nga ekzekutori dhe u qëllua për vdekje pasi u rrëzua në asfalt. Pas krimit, autori u largua nga vendngjarja me një motor me targa greke, i cili drejtohej nga një bashkëpunëtor.
Nga të shtënat mbeti i plagosur rastësisht edhe kalimtari Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç. Grupi hetimor ka përqendruar vëmendjen te pista e konflikteve të mëparshme, pasi Myrtaj ishte i përfshirë në një plagosje të ndodhur në korrik të vitit 2025. Sipas të dhënave, në atë konflikt rezultojnë të përfshirë edhe shtetasit Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza. Për ngjarjen e vitit të kaluar, viktima mbante masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” pasi akuzohej për përkrahje të autorit të krimit.
Në kuadër të veprimeve për zbardhjen e atentatit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka ngritur një grup të posaçëm hetimor. Si pjesë e masave administrative, shefi i Komisariatit të Sarandës, Feliks Hodo, është transferuar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Saimir Shkambaj. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 30 persona, por deri më tani nuk ka një identifikim zyrtar të autorëve, të cilët dyshohet se mund të jenë larguar ilegalisht drejt Greqisë përmes aksit të Konispolit.
Përditësime
Hetimet zbuluan përfshirjen e Ernest Lamës dhe Gëzim Hajdarajt në konfliktin e vitit 2025 që dyshohet se çoi në vrasjen e Artan Myrtajt.