Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Infrakos Sh.A. do të protestojnë të hënën, më 26 tetor 2026, para Stacionit Hekurudhor në Fushë Kosovë. Protesta është njoftuar të nisë në orën 08:00 dhe të zgjasë deri në orën 09:00.
Kërkesa kryesore e punëtorëve është indeksimi i pagave, në mënyrë që ato të pasqyrojnë ndryshimet në koston e jetesës dhe të sigurohet trajtim i drejtë për të gjithë punonjësit. Sipas njoftimit të sindikatës, protesta mbahet për të shprehur pakënaqësinë lidhur me çështjet e ngritura nga punëtorët dhe kërkesat e tyre drejtuar institucioneve përgjegjëse.
Punëtorët thonë se vendimi për protestë vjen pas kërkesave të shumta me shkrim dhe negociatave me menaxhmentin dhe bordin e ndërmarrjes, të cilat nuk kanë dhënë rezultat. Ata kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që do të mbahet para stacionit hekurudhor.
Kryetari i Sindikatës së Hekurudhave, Florim Gjyrevci, tha për Telegrafin se Sindikata e Trainkos-it qëndron përkrah punëtorëve në realizimin e kërkesave të tyre. “Ne i përkrahim në realizimin e kërkesave të tyre!”, deklaroi ai.