Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë kanë hyrë në grevë, pasi ende nuk kanë marrë pagat e muajit qershor. Sipas punëtorëve, kjo vonesë po u shkakton vështirësi në përballimin e shpenzimeve të përditshme, ndaj ata kërkojnë një zgjidhje urgjente nga institucionet përkatëse për ekzekutimin e mjeteve financiare.
Sipas Sejdi Salihut, punëtor teknik që përfaqëson shqetësimet e kolegëve, janë rreth 200 punëtorë të prekur nga kjo situatë. Greva ka filluar gjatë kësaj jave, megjithatë, ata pranojnë se ndikimi i kësaj mase sindikale është i kufizuar për shkak se në këtë periudhë nuk po zhvillohet proces mësimor në institucionet arsimore.
Punëtorët janë shprehur të vendosur për të vazhduar me protestën e tyre deri në marrjen e një zgjidhjeje konkrete për ekzekutimin e pagave. Deri në këto momente, nuk ka pasur një qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje nga ana e Komunës së Prishtinës apo nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.
Përditësime
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, njoftoi se greva e punëtorëve teknikë është shtrirë në 13 shkolla fillore të Prishtinës. Pas reagimit të sindikatës, Komuna e Prishtinës dhe Drejtoria e Arsimit kanë konfirmuar se pagat do të ekzekutohen më së largu deri të hënën. Sindikata ka paralajmëruar përshkallëzim të protestës në shkollat e mesme nëse ky afat nuk respektohet, ndërsa ka kërkuar zyrtarisht rritjen e pagës minimale në 600 euro.