Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pret që presidentja Justina Shiroka-Pula të emërojë sa më shpejt anëtarin e dytë të kësaj partie në komision.
“Është e vërtetë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke funksionuar pa anëtarin e 11-të tashmë një kohë të gjatë”, tha Qalaj. Ai kujtoi se as ish-presidentja Vjosa Osmani dhe as ish-ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e dekretuan anëtarin e munguar. Qalaj tha se shpreson që presidentja e re ta emërojë sa më shpejt, në mënyrë që KQZ-ja të plotësohet dhe të vazhdojë punën normalisht.
I pyetur për ushtrimin e kompetencave kushtetuese të presidentes dhe pretendimin e Lëvizjes Vetëvendosje se vendi i anëtarit të 11-të i takon asaj, Qalaj tha se pret që vendimi të mbështetet në praktikën e mëparshme dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai u shpreh se, sipas bindjes së tij, anëtari i 11-të, ose anëtari i dytë, do të jetë nga PDK-ja.
Qalaj tha se plotësimi i përbërjes duhet të bëhet pa vonesa të mëtejshme. “Është shumë e nevojshme. Sa më shpejt që të bëhet, aq më mirë”, theksoi ai.
Çështja e anëtarit të 11-të të KQZ-së është ngritur që në kohën e ish-presidentes Vjosa Osmani. Sipas raportimeve, Vetëvendosje i kishte propozuar asaj tre kandidatë, ndërsa PDK-ja dy. Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, por gjykata e shpalli kërkesën të pavlefshme.
Kushtetuta parashikon që gjashtë anëtarë të emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, një anëtar nga komuniteti joshumicë serb dhe tre të tjerë nga komunitetet joshumicë joserbe.