Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se është skeptik që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara do të ndihmojnë katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, të dënuar në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim. Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ai tha se beteja për drejtësi duhet të zhvillohet në gjykatë dhe jo përmes ndryshimeve ligjore.
Qelaj tha se respekton vullnetin e qytetarëve, të shprehur përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvend, por se mbetet të shihet ndikimi i ndryshimeve në punën e Dhomave të Specializuara. Sipas tij, pas dekretimit nga presidentja, ligji do të hyjë në fuqi dhe ai nuk sheh arsye që zbatimi i tij të kundërshtohet. Megjithatë, efekti juridik ndaj Dhomave të Specializuara mbetet për t’u parë.
Në raportin e publikuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, Qelaj tha se Dhomat e Specializuara kanë devijuar nga mandati fillestar dhe kërkoi analizë nga themeluesit dhe financuesit e gjykatës me seli në Hagë. Ai ngriti pikëpyetje për juridiksionin që zbaton gjykata dhe nëse ajo i përmbahet mandatit të saj.
Raporti ngre shqetësime për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe për mungesën e monitorimit dhe kontrollit demokratik nga institucionet e Kosovës. Ai përmend gjithashtu kohëzgjatjen e paraburgimit, pranueshmërinë e provave, monitorimin e komunikimeve dhe pavarësinë e mekanizmave mbikëqyrës. Institucioni rekomandoi mbështetjen e një mekanizmi të pavarur monitorimi dhe paraqitjen në Këshillin e Evropës të shqetësimeve të ngritura. Gjykatës iu kërkua të publikojë raportet e donatorëve dhe komunikimet me vendet e treta.
Në intervistën për TV Dukagjinin, Qelaj renditi ndër shqetësimet pragun minimal të provave të siguruara nga Serbia, zgjatjen e paraburgimit dhe pamundësinë e lirimit me kusht. Ai tha se mënyra e ushtrimit të juridiksionit ngre pikëpyetje për standardet e drejtësisë penale. Sipas tij, mungesa e përgjigjeve ndaj pyetjeve të institucionit dhe e argumentimit ka ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve ndaj gjykatës.
Drejtori i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Hulumtim në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, tha se vendosja administrative e Avokatit të Popullit brenda institucionit që duhet të monitorojë ngre shqetësime për pavarësinë e tij. Ai tha se, përveç Kryqit të Kuq, Specialja nuk monitorohet nga organizata ndërkombëtare dhe nuk i jep llogari ndonjë institucioni në Kosovë. Tahiri përmendi edhe shkelje të pretenduara në procesin e përgjimit të të akuzuarve.