Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 19-të të rregullt, në të cilën miratoi një sërë vendimesh për shpronësime, financime dhe mekanizma institucionalë.
Sipas njoftimeve nga zyra e kryeministrit dhe mediat, mbledhja u fokusua në projekte infrastrukturore, energjetike dhe sociale.
Shpronësime për interes publik
Qeveria miratoi vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave ish-shoqërore për nevoja të Ofruesit për Shërbimet e Navigacionit Ajror (ish-ASHNA) në zonat kadastrale: Vrellë e Goleshit dhe Mirenë (Lipjan), Zatriq (Rahovec), Mramor (Prishtinë) dhe Bajgorë (Mitrovicë e Jugut).
Po ashtu u miratuan shpronësime për zgjerimin e mihjes së thëngjillit të KEK-ut në Obiliq, ndërtimin e Zonës Industriale të Mbrojtjes në Gjakovë, si dhe rehabilitimin e rrugëve në Gjilan dhe Suharekë.
Vendime financiare
Rritja e shumës së miratuar për Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) nga 370.000 euro në 373.150,90 euro, për mbulimin e diferencave nga luhatjet valutor.
Ndarë 1 milion euro për mbështetjen e punësimit të komuniteteve joshumicë në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Mbi 90 mijë euro për përfundimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
Rritja e kufirit të shpenzimeve në 15 milionë euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit.
50 mijë euro për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për masa preventive dhe emergjente, si dhe rialokim fondesh për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Mekanizma institucionalë dhe plane
Qeveria themeloi Komisionin Ministror për Skemën Evropiane të Garancisë për Fëmijë dhe Këshillin Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
Ndërkaq, miratoi zgjatjen e Planit të Zbatimit të Skemës së Garancisë për të Rinjtë për vitin 2026, si dhe ndryshimet në vendimet për Komisionin Ministror të Garancisë për të Rinjtë (Vendimi Nr. 22/39, 13 tetor 2021) dhe Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës (Vendimi Nr. 06/143, 28 prill 2017, me ndryshime të mëvonshme).