Qeveria ka miratuar hartën e re të zonave që gëzojnë statusin e veçantë për zhvillimin e ekonomisë malore. Përmes tre vendimeve të firmosura nga Kryeministri Edi Rama, janë përcaktuar me koordinata të sakta territoret në Dibër, Tepelenë dhe Memaliaj, ku shteti kërkon të orientojë investimet strategjike. Në këto zona lejohen aktivitete zhvillimi ekonomik, industrial dhe turistik.
Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe hapin rrugë zbatimit të lehtësirave të parashikuara në Paketën e Maleve, si skema mbështetëse, reduktim taksash apo grante për biznese që ndërtojnë hotele, fabrika përpunimi ose njësi agroturistike.
Dibra, 16 zona zhvillimore
Pjesa më e madhe e hartës përqendrohet në veri. Në Bashkinë e Dibrës janë shpallur 16 zona zhvillimore, që përfshijnë perla natyrore dhe zona me potencial bujqësor:
- Bjeshkët e Korabit (mbi 1100 ha)
- Bjeshkët e Gramës, Hinoskës dhe Zimurit
- Zona e Lurës dhe Lugina e Lumit Drin (rreth 970 ha)
- Fshati Rabdisht (mbi 1400 ha), i njohur për arkitekturën e gurit
- Zona në Selishtë e Luzni
Fokusi në Kurvelesh dhe Memaliaj
Në jug, harta përfshin sipërfaqe të mëdha tokësore. Në Tepelenë prioritet kanë:
- Zona e Kurveleshit (rreth 9600 ha)
- Zona e Qendër-Tepelenë (mbi 19 mijë hektarë), për agroturizëm dhe blegtori intensive.
Në Memaliaj zonat prioritare janë:
- Njësinë Administrative Buz (gati 6000 ha)
- Fshatrat Arrëz e Madhe e Rabie, të prekur nga shpopullimi dhe mungesa e investimeve.