Këshilli i Ministrave miratoi më 14 tetor rregulla të reja për vlerësimin dhe miratimin e studimeve të fizibilitetit, si dhe për dhënien, ndryshimin dhe transferimin e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik-privat (PPP). Vendimi shfuqizon vendimin nr. 575, datë 10 korrik 2013, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, të ndryshuar.
Sipas vendimit, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat ka tre muaj nga hyrja në fuqi për të miratuar dokumentet standarde për koncesionet dhe PPP-të dhe për t’ia dërguar ato Agjencisë së Prokurimit Publik për botim.
Agjencia do të hartojë gjithashtu udhëzime dhe manuale shpjeguese për procedurat përkatëse. Përdorimi i tyre do të jetë i detyrueshëm për çdo autoritet ose ent kontraktor gjatë zhvillimit të procedurave të koncesioneve dhe partneriteteve publike-private.
Vendimi mbështetet në ligjin nr. 88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe është paraqitur me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit. Ai hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”; zbatimi i tij u ngarkohet të gjitha institucioneve qendrore dhe vendore.