Qeveria në detyrë ka miratuar në mbledhjen e sotme ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 1 milion euro për zbatimin e masës 3.4 "kuponë ushqimi" për familjet në nevojë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti deklaroi se vendimi lidhet me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe synon mbështetjen e drejtpërdrejtë të familjeve në nevojë. Mjetet do të transferohen nga programi i ringjalljes ekonomike në departamentin e skemave sociale dhe do të përdoren për mbulimin e kostove sipas thirrjes së shpallur për përfituesit.
Në të njëjtën mbledhje qeveria vendosi gjithashtu rritjen e shtesave për lehonat e papunësuara nga 325 në 500 euro duke filluar nga ky muaj. U emërua edhe komiteti për partneritet publiko-privat, i cili do të ketë rol kyç në avancimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Përditësime
Qeveria vendosi të ndajë 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Hekuran Murati kryeson komitetin për partneritet publiko-privat, me Mimoza Kusari Lila si anëtare dhe ministrin e infrastrukturës Dima në përbërje. Kryeministri Albin Kurti tha se komiteti do të krijojë mundësi të reja për investime të përbashkëta. Hekuran Murati shtoi se partneriteti publiko-privat do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik.