Qeveria propozon zgjerimin e lehtësive fiskale për kompanitë që investojnë në industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, përfshirë shoqëritë e përbashkëta të ndërmarrjes shtetërore KAYO me ortakë privatë. Nisma vjen ndërsa kompania shtetërore është përfshirë në një hetim të SPAK-ut për dyshime mbi trafikimin e armëve.
Ligji i miratuar në vitin 2024 u njeh subjekteve të licencuara në këtë industri tatim mbi fitimin në masën 0% për dhjetë vitet e para të veprimtarisë, si dhe lehtësi të tjera doganore e fiskale. Projektligji i ri synon të ndryshojë kryesisht trajtimin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për importet e makinerive dhe lëndëve të para, si dhe të zgjerojë përjashtimet nga taksat vendore.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare Artur Meçollari thotë se ndër përfituesit e drejtpërdrejtë të nismës janë pesë shoqëritë e përbashkëta të KAYO-s me ortakë privatë. Sipas tij, ortakët privatë zotërojnë në disa prej tyre pjesën më të madhe të aksioneve, deri në 80%, ndaj përfitimi ekonomik nga lehtësitë do të shkojë kryesisht tek ata.
Kryeministria hodhi poshtë pretendimin se nisma është hartuar për të favorizuar një numër të kufizuar biznesmenësh, mes tyre shtetasin izraelit Ron Yeffet, ortak në dy shoqëri të përbashkëta me KAYO-n. Në përgjigjen me shkrim për BIRN, ajo tha se projektligji nuk është hartuar për ndonjë subjekt të caktuar. Sipas qeverisë, kushti për përfitimin e lehtësive është pajisja me licencë nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes (AIM), me kritere të njëjta për investitorët vendas dhe të huaj. Kryeministria shtoi se teksti nuk përmend kompani, pronarë, prag investimi apo kushte që përjashtojnë subjekte të tjera.
KAYO u krijua në fund të vitit 2024 për të nxitur industrinë e mbrojtjes dhe për të shërbyer si platformë për lidhjen e kontratave e marrëveshjeve të bashkëpunimit me operatorë privatë vendas dhe të huaj. Deri tani, ajo ka themeluar pesë shoqëri të përbashkëta dhe zotëron pakicën e aksioneve në secilën prej tyre.
Timak Defence dhe Advanced Arms Technology zotërohen në shumicë nga Arjeta Puca dhe Yeffet. Timak Defence prodhon automjete ushtarake dhe, sipas Thesarit të Shtetit, ka përfituar rreth 30 milionë euro fonde publike nga marrëveshjet me institucione shtetërore. Advanced Arms Technology merret me prodhimin e dronëve dhe armëve të kalibrit të vogël e të mesëm.
Tri shoqëritë e tjera janë Fincantieri Albania, e angazhuar në riparimin e anijeve të Forcave të Armatosura, si dhe M.K.D dhe Guna Tactical, me ortak Emiljano Dushën. Ato merren përkatësisht me prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël dhe me prodhimin e uniformave ushtarake.
Audiopërgjime të publikuara javët e fundit nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj kanë ngritur dyshime për përfshirjen e një kompanie të lidhur me Yeffet në një skemë të mundshme të tregtisë së armëve. Çështja po hetohet nga SPAK. Kryeministria tha se nisma ishte planifikuar që në fund të vitit 2025 dhe ishte përfshirë në Programin Analitik të Projektakteve të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 812, datë 30 dhjetor 2025.