Qeveria propozon që pragu i regjistrimit të detyrueshëm për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Ndryshimi parashikohet të ketë efekte nga 1 janari 2027 dhe, sipas relacionit shoqërues të projektvendimit, të përfshijë rreth 17 516 tatimpagues të rinj në skemën e TVSH-së.
Aktualisht, bizneset me qarkullim vjetor mbi 10 milionë lekë duhet të regjistrohen në skemën e TVSH-së, ndërsa ato me qarkullim mbi 5 milionë lekë mund të zgjedhin regjistrimin vullnetar, sipas kushteve të legjislacionit në fuqi. Ndryshimet propozohen në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 953, të datës 29 dhjetor 2014, për dispozitat zbatuese të ligjit për TVSH-në.
Sipas relacionit, kufiri prej 10 milionë lekësh zbatohet që nga janari i vitit 2021. Përjashtim bëjnë noterët dhe përmbaruesit gjyqësorë shtetërorë e privatë, për të cilët kufiri i regjistrimit është zero, pavarësisht qarkullimit vjetor. Pragu prej 5 milionë lekësh është aktualisht kufi për regjistrim me zgjedhje të tatimpaguesit.
Relacioni thotë se ulja synon formalizimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik, zgjerimin e bazës së tatueshme dhe përmirësimin e administrimit të TVSH-së. Sipas dokumentit, ndryshimi do të ndihmojë në formalizimin e zinxhirit të transaksioneve të mallrave dhe shërbimeve. Në përcaktimin e pragut të ri është marrë parasysh përjashtimi i bizneseve kryesisht familjare dhe i atyre me vetëm një të vetëpunësuar.
Relacioni krahason pragun aktual prej 10 milionë lekësh, të barasvlershëm me rreth 108 696 euro, me kufijtë e regjistrimit në vendet e rajonit dhe në disa vende të Bashkimit Evropian, duke e përshkruar atë si më të lartë. Projektvendimi parashikohet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet do të nisin më 1 janar 2027. Sipas relacionit, miratimi dhe zbatimi i tij synojnë të sjellin rreth 4,5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja.