Një qytetare nga Suharekë ka gjetur 300 euro të gatshme në tokë dhe i ka dorëzuar në polici. Ngjarja ka ndodhur më 6 mars 2026, kur V. F., banore e fshatit Peqan, kalonte pranë një restoranti në Suharekë. Ajo ka raportuar menjëherë rastin dhe ka dorëzuar paratë në Stacionin Policor Suharekë rreth orës 20:15 të së njëjtës ditë.
Policia e Kosovës ka verifikuar kamerat e sigurisë dhe ka identifikuar personin që i kishte humbur paratë, një qytetar nga Suharekë. Mjetet financiare i janë dorëzuar pronarit në stacion.
Në njoftimin e saj, Policia e Kosovës falënderon qytetaren V. F. për veprimin dhe inkurajon qytetarët të ndjekin këtë shembull të bashkëpunimit me institucionet. Ajo rikujton se marrja e sendit të huaj, edhe nëse gjehet në rrugë apo tjetërkund, përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.