Policia e Kosovës gjobiti me 500 euro një 39-vjeçar me inicialet M.K., pasi ndezi mbeturina në fshatin Mirosalë të Ferizajt.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, zyrtarët e Stacionit Policor në Ferizaj reaguan pas marrjes së një njoftimi për një zjarr të dyshuar në malet e fshatit. Gjatë veprimeve policore, ata identifikuan personin që kishte ndezur mbeturinat dhe i shqiptuan gjobë kundërvajtëse prej 500 eurosh.
Policia u bëri thirrje qytetarëve të mos ndezin mbeturina ose materiale të tjera në hapësira të hapura, veçanërisht pranë pyjeve. Sipas njoftimit, zjarret mund të përhapen shpejt, të shkaktojnë dëme në natyrë dhe prona, si dhe të rrezikojnë jetën e qytetarëve.