Një rast i ndershmërisë qytetare është regjistruar mbrëmjen e së dielës, më 2 gusht 2026, kur një 17-vjeçar nga fshati Bablak i komunës së Ferizajt ka gjetur një portofol në fshatin Lloshkobare. Portofoli, i cili ndodhej afër një pike karburanti të njohur si Ibrahimi Petrol, përmbante dokumente identifikimi dhe një shumë të konsiderueshme të hollash.
Rreth orës 22:30, i riu A. Nuha është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Ferizaj për të dorëzuar sendet e gjetura. Pas ndërmarrjes së procedurave të verifikimit nga ana e zyrtarëve policorë, është bërë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç, nga Gjakova.
Në prani të forcave të rendit, pronarit iu kthyen të gjitha vlerat monetare prej 2,435 euro dhe 270 franga zvicerane, së bashku me dokumentet personale. Për këtë rast është përpiluar një shënim zyrtar nga autoritetet përkatëse. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vlerësuar lart gjestin e A. Nuha, duke e cilësuar veprimin e tij si një shembull të lartë të ndershmërisë, përgjegjësisë dhe qytetarisë së mirë ndaj institucioneve të rendit.