Kreshnik Radoniqi, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, zhvilloi një takim me Gerard McGurk, shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Gjatë takimit, Radoniqi e njoftoi McGurk për aktivitetet në drejtim të përmbylljes së procesit të rinumërimit të vendvotimeve dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori McGurk përgëzoi KQZ-në për organizimin e procesit zgjedhor, si dhe për hapat e ndërmarrë në evidentimin e problemeve gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë. Ai theksoi përkushtimin e KQZ-së në mbrojtjen e integritetit të votës dhe të rezultateve zgjedhore.
Të dy palët u dakorduan për hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërmjet KQZ-së dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.