Edi Rama foli në podcastin e tij "Flasim" më 25 janar 2026, duke theksuar se viti 2026 është moment kyç për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai përmendi prezantimin e një pakete të re ligjore këtë javë, që përfshin një duzinë nismash për forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e transparencës dhe përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane. Këto nisma mbulojnë luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e institucioneve. Rama nënvizoi se reformat nuk janë vetëm detyrime ligjore nga negociatat, por edhe investim në besimin e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit ligjor.
"Ky është një vit kur Shqipëria duhet të provojë se është e gatshme, jo vetëm t’i kalojë reformat, por dhe t’i jetësojë ato, duke pasur parasysh se ky moment nuk mund të humbet", u shpreh ai.
Sa i përket bujqësisë, Rama njoftoi se këtë javë ka nisur një tur dëgjesash publike nga Ministri i ri i Bujqësisë me fermerët në të gjithë vendin. Qëllimi është hartimi i Skemës Kombëtare 2026, që kanalizon buxhetin dhe burimet e financimit së bashku me fermerët.
Financimet do të mbështeten nga:
- buxheti i shtetit;
- linja e kredisë së garantuar nga Banka e Shqipërisë;
- AZHBR;
- AgroKrediti;
- injeksione nga Banka e re e Zhvillimit.
Këto do të drejtohen aty ku ka më shumë efikasitet dhe prodhojnë vlerë të shtuar.