Kryeministri Edi Rama ashpërsuar tonet në debatin me gjyqtarët për rritjen e pagave. Ai akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (GJK) për trajtim financiar të njëtrajtshëm për gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu.
Sipas Ramës, kjo kërkesë përfshin individë të përjashtuar nga sistemi i ri i drejtësisë për pasuri të pajustifikuara. Kryeministri theksoi se përmes saj taksapaguesve shqiptarë u kërkohet të financojnë paga më të larta jo vetëm për ata që kaluan vettingun, por edhe për korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë, siç i cilësoi ai.
Rama deklaroi: "Ju keni shkuar në GJK për t’ju rritur pagën atyre që i hoqi vettingu, sepse nuk ishin të denjë për sistemin e ri të drejtësisë. Ju keni shkuar në GJK për t’i kërkuar taksapaguesve shqiptarë që të paguajnë paga më të larta për gjykatës dhe prokurorë që vettingu i hoqi sepse kishin pasuri të pajustifikuara."
Ai e cilësoi të papranueshme një pretendim të tillë ndaj qeverisë së tij, e cila, sipas tij, realizoi një reformë historike në drejtësi. Kjo reformë, shtoi Rama, i dha sistemit të drejtësisë pavarësi që kolegët e gjyqtarëve e kishin ëndërruar që nga viti 2012, por nuk e kishin prekur dot.
Kryeministri u bëri thirrje gjyqtarëve që pavarësinë e fituar ta ushtrojnë me dinjitet dhe ta kthejnë në të mirë të madhe të popullit shqiptar, në funksion të interesit publik.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama akuzoi Shoqatën e Gjyqtarëve se po kërkon në Gjykatën Kushtetuese ndryshimin e dispozitës tranzitore të miratuar nga Kuvendi, që aplikon datën 1 janar 2019 për magjistratët që nuk kanë kaluar vettingun dhe pagën e vitit 2008.
Rama u referua qëndrimit të shoqatës të së enjtes, ku ajo kishte kërkuar rishikimin e paketës fiskale.
"Paketa fiskale e vitit 2024 nuk prek të drejtat e askujt, por siguron besimin e tretë në sistemin e drejtësisë", tha Rama, duke shtuar se masat synojnë të forcojnë integritetin e magjistratëve.