Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, dhe Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, i kanë ftuar kryetarët e komunave të Kosovës të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha në sheshet e qyteteve për ndeshjen vendimtare të kombëtares kundër Turqisë në Stadiumin Fadil Vokrri.
Në një postim të përbashkët në Facebook, ata theksojnë se kapaciteti i stadionit është tejet i vogël për numrin e madh të qytetarëve që duan ta ndjekin ndeshjen. "Megjithatë, kapaciteti i Stadiumit ‘Fadil Vokrri’ është tejet i vogël për të gjithë ata që duan të jenë në këtë ndeshje vendimtare", shkruhet në postim.
Ata ftojnë komunat të veprojnë në frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, në pajtim me rrethanat e sigurisë publike. Qëllimi është që çdo qytetar të ketë mundësi të përjetojë këtë moment historik. "Prandaj, në frymë bashkëpunimi dhe solidariteti, ftojmë kryetarët e komunave që të organizojnë vendosjen e ekraneve të mëdha [...] në sheshet e qyteteve të tyre", thuhet më tej.
Postimi nënvizon unitetin pas ndeshjes në Bratislava. "Këto ditë, krenaria dhe atdhedashuria kanë bashkuar çdo qytetar. Pas asaj që përjetuam në Bratislava, besimi është më i madh se kurrë dhe i gjithë vendi rreh si NJË zemër."
Ata bëjnë thirrje që çdo shesh të kthehet në tribunë mbështetjeje. "Le ta kthejmë çdo shesh në një tribunë mbështetjeje, çdo qytet në një zë të vetëm, dhe çdo qytetar në lojtarin e dymbëdhjetë të kombëtares sonë për kualifikimin historik në Kampionatin Botëror. Ky është momenti ynë. Le ta jetojmë së bashku. Le ta shkruajmë historinë në çdo qytet të Kosovës."